Z. Eduard Shalsi

Eduard Shalsi, ka përfunduar studimet universitare në vitin 1990, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Biologji–Kimi, në Tiranë dhe ka punuar fillimisht si arsimtar në shkolla të ndryshme të Tiranës. Pas një largimi 3 vjeçar për në Greqi, kthehet dhe fillon punën në të parën bankë private në Shqipëri, Tirana Bank. Pas trajnimeve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë, ai punon pranë degëve të ndryshme të bankës në Shqiperi, në departamente të ndryshme si ai i depozitave, import-eksportit, kredisë etj. Përpos certifikatave të shumta, ai pajiset dhe me titullin ToT si Trajner në Ekonominë Bankare nga Bankakademie Ndërkombëtare Gjermani & ISAB Shqipëri, gjë që e bën të ngjitet në nivelet më të larta të menaxhimit të bankës.

Më pas emërohet si Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë shtetërore shqiptare të sigurimeve Insig sha. dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, pasi fillon një reformë të thellë strukturore për modernizimin dhe përmirësimin e të dhënave financiare, bën të mundur zgjerimin e aktivitetit të kompanisë në Maqedoni si dhe tërheq si investitorë me 40 %, respektivisht Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore.

Në vitin 2004 i bashkëngjitet ekipit të Edi Ramës në Bashkinë e suksesshme të Tiranës, fillimisht si shef kabineti i Kryebashkiakut dhe më pas si nënkryetar i Bashkisë, periudhë gjatë të cilës udhëhoqi disa projekte me rëndësi për kryeqytetin. Është zgjedhur deputet në qarkun e Tiranës në vitin 2009 dhe ka marrë pjesë aktive në jetën parlamentare. Rizgjidhet deputet në zgjedhjet e 2013, por kësaj here në qarkun e Beratit.

Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, anëtar i Komisionit të Asociim-Stabilizimit BE-Shqipëri. Zotëron gjuhën angleze, italiane dhe greke. Gjithashtu, për shkak te pasionit dhe njohjes së mire të shahut, z. Shalsi është zgjedhur edhe President i Federatës Shqiptare të Shahut.