Media

Media Statistika

Rezultatet e cens: Popullsia në moshë pune është reduktuar me rreth 350 mijë persona

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grupmoshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grupmosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%

Siç shihet, popullsia në moshë punë në vendin tonë jo vetëm që është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë, pasi ka një rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja të moshave.

Bizneset në të gjithë sektorët vitet e fundit e kanë konsideruar mungesën e punonjësve problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete.

Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen.

Monitor