Postuar më: January 25, 2024
Kur një vit më parë, kompania amerikane e teknologjisë OpenAI prezantoi ChatGPT, i hapi rrugën një revolucioni të vërtetë.
Sipas OpenAI, miliona njerëz nisën ta përdorin ChatGPT menjëherë pas prezantimit të tij. Sot, një vit më pas, një numër edhe më i madh njerëzish e kanë përdorur platformën.
Cili do të jetë ndikimi i ChatGPT në tregun e punës?
ChatGPT ka shumë të ngjarë të ndikojë drejtpërdrejt në tregun e punës. Banka e investimeve Goldman Sachs vlerëson se sistemet e Inteligjencës Artificiale (IA) si ChatGPT mund të automatizojnë deri në 300 milionë vende pune në të gjithë botën.
Profesionet akademike dhe ato krijuese do të preken më së shumti. Edhe pse ky mund të duket një lajm i keq, nuk është e thënë që të jetë. Sipas Goldman Sachs, “ndikimi i IA në tregun e punës ka të ngjarë të jetë i konsiderueshëm.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e punëve dhe sektorëve janë pjesërisht të ekspozuar ndaj automatizimit, për këtë arsye ka më shumë të ngjarë që IA t’i plotësojë se sa t’i zëvendësojë”. Daniel, një zhvillues software i punësuar në një korporatë e madhe, pajtohet me këtë vlerësim optimist.
Megjithatë, ai nuk dëshiron ta zbulojë emrin e tij të plotë, për shkak të konkurrencës midis kompanive të teknologjisë.
“Nuk mund t’i japësh një detyrë programimi të detajuar ChatGPT dhe të presësh rezultate të mira – tha Daniel për Deutsche Welle. – Për mua funksionon më mirë nëse i marr përgjigjet e ChatGPT si këshilla dhe më pas vazhdoj të ndërtoj mbi të, për të krijuar diçka më të mirë në dialog me platformën IA”.
Deri tani, rezultatet e ChatGPT nuk janë gjithnjë të besueshme. Edhe pse në pamje të parë mund të duken bindëse, ndonjëherë janë absurde. OpenAI ka deklaruar se dëshiron t’i eliminojë këto “halucinacione” të IA në një ose dy vitet e ardhshme.
Megjithatë, disa ekspertë të teknologjisë dyshojnë nëse të tilla “halucinacione” do të zhduken ndonjëherë. Kjo do të thotë se, nëse ChatGPT përdoret për t’iu përgjigjur pyetjeve shumë të rëndësishme, duhet të kontrollohen me kujdes rezultatet.
Edhe transmetuesi ndërkombëtar gjerman DW po eksperimenton gjithashtu me IA. Por “IA gjenerative nuk do ta zëvendësojë punën e gazetarëve tanë”, sipas kryeredaktores së DW, Manuela Kasper-Claridge.
Burimi: Monitor